Informations
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Perandoria Osmane

Shko poshtë

Perandoria Osmane Empty Perandoria Osmane

Mesazh  Njimi Fri Feb 11, 2011 3:20 pm

Perandoria Osmane (1299 - 1923), është shteti paraardhës i Republikës së Turqisë së sotme dhe një nga perandoritë më të mëdha të historisë. Përfshinte 22,9 milion km² në majë të lulëzimit në shekullin XVI duke mbajtur të pushtuara viset nga Afrika Veriore, Lindja e Afërt, Kaukazi deri në Evropë. Ishte rivali kryesor i shteteve evropiane kundër të cilave ndërmori shumë fushata ushtarake. Brenda perandorisë mbizotëronte rendi ushtarak dhe aristokracia e zgjedhur e padishahut ose sulltanit, sovranit të shtetit.
Shekujt XVI dhe XVII ishin kulmi i lulëzimit të kësaj perandorie, ndërsa në shekujt XVIII dhe XIX luftërat e shpeshta me Rusinë dhe Austro-Hungarinë shënojnë rënien. Përfshirja në Luftën e Parë Botërore, në krah me fuqitë qendrore, Austro-Hungarinë dhe Perandorinë Gjermane, osmanëve iu solli shkatërrimin e plotë të perandorisë së tyre. Lëvizjet nacionaliste turke shpallën Republikën e Turqisë në territorin e mbetur, i cili kryesisht banohej nga populli turk.

Lufta kundër koalicionit evropian
Si rezultat i rënies së Perandorisë Osmane, në Lindjen e Afërme u forcua edhe më shume pozita e shteteve më të mëdha të Evropës perëndimore. Me anë të kapitulimit ato shtrinin kthetrat në territorin e perandorisë. Në këtë periudhë ishte rritur ndikimi i Anglisë dhe i Holandës.
Anglia e udhëhequr nga qëllimet e saj në luftën kundër shteteve të tjera evropiane, filloi të mbështesë shtetin osman dhe të ndikojë në politikën e tij të jashtme. Në sajë të ndihmës së Anglisë, osmanët në vitin 1645 morën nga venecianët ishullin e Kretës, qendrën e rëndësishme tregtare në Mesdhe.
Në mesin e shek XVII gjendja ndërkombëtare e Perandorisë Osmane u keqësua. Në mbarim të luftës 30-vjeçare( 1689) në Evropë ndodhën një varg ndryshimesh të mëdha. Franca kërkonte të mbizotëronte në Evropën Qendrore dhe Perëndimore. Austria, humbjet në Perëndim donte t’i kompensonte në Lindje, duke i marrë shtetit osman tokat hungareze. Rusia kërkonte Ukrainën, për të cilën ishte interesuar edhe Polonia.
Në vitet 70 të shek. XVII shteti osman zhvilloi një luftë të gjatë me Poloninë.Kjo e fundit u ndihmua nga Rusia. Sulltani u detyrua t’i lëshojë Polonisë afro 2/3 e territorit të Ukrainës, kurse Rusisë Kievin e bregun e majtë të Ukrainës.
Luftën më të gjatë shteti osman e zhvilloi me Austrinë. Lufta filloi në vitin 1683. Pretekst ishte përkrahja që i bëri Austria grupit kundërosman. Ushtria osmane arrinte mbi 170 000 veta kurse ushtria austro-polake deri 63000 veta. Duhet thënë se në ushtrinë osmane ishin marrë me forcë persona që nuk kishin kapur armë me dorë: si shërbëtorë, zejtarë, tregtarë etj. Ushtria osmane me në krye sulltan Mehmetin IV dhe vezirin e madh, Kara Mustafa pashën, hynë në territoret hungareze që ndodheshin nën Austrinë.Sulltani synonte të merrte Vjenën. Rrethimi i Vjenës zgjati dy muaj. Atë e mbronin 13000 veta si zejtarë, studentë, banorë të tjerë e fshatarë të krahinave përreth. Ndonëse nuk ishin të armatosur mirë ata i qëndruan ushtrisë osmane. Gjatë sulmeve për pushtimin e Vjenës sulltani humbi pothuajse 1/4 e ushtrisë. Më 12 shator ushtria osmane u sulmua edhe nga një ushtri prej 25000 vetësh e përbërë nga polakë, ukrainas dhe kazakë e komanduar nga mbreti polak Jan Sobeski. Të vënë midis dy zjarreve, osmanët pësuan disfatë, lanë 20000 të vrarë dhe 3000 topa. Veziri i madh mezi shpëtoi kokën dhe u tërhoq në Beograd. Atje u ekzekutua me urdhrin e sulltanit. Mbreti polak ndoqi ushtrinë gjatë tërheqjes dhe e theu atë edhe një herë në Brigjet e Danubit.Kjo disfatë e ushtrisë osmane ngjjalli shpresa për dëbimin e osmanëve nga Evropa. Por realizimi i kësaj kërkonte bashkimin e forcave të disa sheteteve. Për këtë arsye në vitin 1684 u krijua një koalicion kundërosman me emrin “Lidhaj e Shenjtë”. Në koalicion merrnin pjesë Austria, Polonia, Venediku, Malta dhe pas dy vjetësh hyri edhe Rusia. Gjendja e shtetit osman ishte keqësuar edhe më shumë. Në letër ushtria osmane llogaritej rreth 300 000 veta, kurse në të vërtetë nuk i kalonte të 160 000 vetat. Përsa i përket armatimit dhe stërvitjes së ushtarakëve kishte të meta të mëdha. Më e keqe ishte gjendja e spahinjve. Forcat e Lidhjes së Shenjtë filluan luftën në vitin 1686. Ushtritë austriake morën Budën që kishte 160 vjet që ndodhej në duart e osmanëve, thyen në Mohaç ushtrinë osmane, në vendin ku më 1526 u vendos fati i Hungarisë dhe pushtuan Beogradin : në Vidin pranë Danubit, u thye flota osmane. Në përparimin e shpejtë të ushtrisë austriake ndikoi edhe qëndrimi i ushtrisë osmane. Jeniçerët dhe një pjesë e ushtarëve të kategorive të tjera u rebeluan, braktisën frontin dhe u kthyen në Stamboll. Ushtria veneciane u hodh në sulm në More dhe në Dalmaci. Brenda një kohe të shkurtër në duart e venecianëve ra gjithë Moreja.
Në suksesin e forcave të Lidhjes së Shenjtë ndikoi dhe lufta çlirimtare e popujve të Ballkanit për të flakur zgjedhën osmane. U ngritën serbë, bullgarë, grekë dhe shqiptarë. Ata iu përgjigjën thirrjes së perandorit austriak për të luftuar kundër osmanëve.Kryengritje të fuqishme shpërthyen në rajone të Tërnovës e të Sofjes në Bullgari. Bojari rumun doli hapur kundër pushtetit qendror.
Në këto rrethana të favorshme ushtria austriake përparoi në Bullgari dhe në tokat e shqiptarëve. Në Prishtinë forcat austriake u pritën nga 5000 kryengritës shqiptarë, kurse në Prizren nga 6000 kryengritës të tjerë shqiptarë. Në betejën e Kaçanikut 2 janar 1690 ushtria austriake së bashku me kryengritësit shqiptarë pësunan disfatë. Pas kësaj ushtritë osmane, brenda një kohe të shkurtër, arritën të pushtonin qytetet e Rrafshit të Dukagjinit dhe të Kosovës. Shqiptarët luftuan përkrah austriakëve në Novobërdë e në disa qytete të tjera. Këto beteja përfunduan me fitoren e ushtrisë osmane. Pas këtyre disfatave, me austriakët u tërhoqën nga Kosova mjaft kryengritës. Faktin e largimit të mjaft kryengritësve nga Kosova e shfrytëzoi më vonë monarkia serbe e cila krijoi legjendën e së ashtuquajturës “shpërngulja e serbëve” nga Kosova dhe popullimin e saj prej shqiptarëve. Historiografia shqiptare me argumente shkencore ka hedhur poshtë këtë tezë antishqiptare. Sukseset e ushtrive austriake e shqetësuan Francën, prandaj ajo u hodh në luftë kundër Austrisë. Austria, duke mos qenë në gjendje të luftonte në dy fronte, u tërhoq nga lufta me shtetin osman. Kështu brenda një kohe të shkurtër forcat osmane u shkaktuan humbje forcave austriake dhe i dëbuan nga Bullgaria, Serbia, Kosova e Transilvania. Ndërkohë edhe anëtarja e katërt e Lidhjes, Rusia zhvilloi luftë me Perandorinë Osmane. Në vitet 1686-87 dy ekspeditat e saj kundër Krimesë përfunduan në disfatë. Pas shumë përpjekjeve një dhjetëvjeçar më vonë ajo mori Azovin.
Në këto kushte gjendja e Perandorisë Osmane u keqësua shumë. Prandaj sulltani kërkoi paqe. E interesuar për luftë ishte edhe Austria. Anglia e Holanda, si armike të Francës, ndonëse mështetnin Austrinë, ishin për përfundimin e luftës. Për këto arsye në vitin 1698 në Karlovac të Sllovenisë u thirr konferenca për hartimin e kushteve të paqes midis shtetit osman dhe “Lidhjes së Shenjtë”. Më 26 janar të vitit 1699 u arrit një paqe për 25 vjet me Austrinë, Poloninë e Venedikun. Austria mori pothuajse gjithë territorin e Hungarisë që deri para luftës i përkiste shtetit osman. Transilvaninë dhe Slloveninë. Polonia mori bregun e djathtë të Ukrainës, kurse Venediku vuri nën sundim Morenë. Gjashtë Kështjella në Dalmaci dhe një radhë ishujsh të arkipelagut.
Nuk vonoi shumë edhe Rusia bëri paqe me shtetin osman në verën e vitit 1700. Sipas kushteve të paqes Rusia mori Azovin me territorin përreth, fitoi të drejtën të lundrojë në Detin e Zi dhe të mbajë ambasador në kryeqytetin osman, si gjithë shtetet e tjera. Fetarët rusë kishin të drejtë të vizitonin vendet e shenjta në Palestinë. Këto ishin shkëputjet e para nga perandoria Osmane. Ato i sollën dëme të mëdha morale dhe materiale. Ato treguan se Perandoria Osmane nuk ishte në gjendje t’u bënte ballë koalicioneve evropiane. Kështu prestigji i perandorisë në arenën ndërkombëtare ra. Jo më të vogla ishin dëmet materiale. Me shkëputjen e krahinave të lartpërmendura shteti humbi një fond toke me të cilën kishte kënaqur mijëra spahinj dhe e kishte burim të ardhurash. Ata u detyruan të largohen nga ato territore, pasi lanë timaret, ziametet dhe hasset. Shetei humbi një kontingjent ushtarak prej 32000 vetash.

Luftërat e Perandorisë Osmane në 40-vjetët e parë të shek. XVIII
Humbjet e mëdha që pësoi Perandoria Osmane nga “Lidhja e Shenjtë” e keqësuan shumë gjendjen e saj të brendshme dhe të jashtme. Klasa sunduese kërkonte të dilte nga situata me anë të pushtimeve të reja. Nga ana tjetër Rusia dhe shtete të tjera filluan të marrin nën “mbrojtje” popullsi të krishtera që ndosheshin nën shtetin osman. Për këto arsye në 40-vjetët e parë, Perandoria Osmane u ndodh në disa luftëra me shtetet të vetme ose me disa shtet së bashku.
Një nga këto shtete ishte Rusia. Ajo filloi të marrë nën “mbrojtje” të krishterët. Si kundërpërgjigje qeveria osmane filloi të përkrahë armiqtë e Rusisë. Një nga këta armiq ishte mbreti suedez Karli XII dhe disa persona të tjerë. Me ta qeveria osmane kishte arritur marrëveshje për luftë të përbashkët. Në nëntor të vitit 1710 Rusia i shpalli luftë mbasi Porta e Lartë nuk pranoi kërkesën e carit rus për të dëbuar mbretin sudez nga territori i Perandorisë Osmane. Cari rus me anë të letrave u përpoq të ngrejë në luftë kundër pushtetit qendror grekët, serbët, bullgarët e malazezët. Madje ai bëri disa marrëveshje të fshehta me bojarët e Vllahisë e të Moldavisë. Sundimtari i Vllahisë duhej të hidhte një ushtri prej 30000 vetash në anën e Rusisë, të furnizonte ushtrinë ruse me rezerva ushqimore dhe të ngrinte serbët e bullgarët në luftë kundër sulltanit. Rusia duhej ta njihte atë si sundimtar të pavarur. Sundimtari i Moldavisë do të hidhte në luftë 10000 veta me kusht që kufijtë lindorë të shtriheshin deri në lumin Dniester dhe Moldavia të ruante autonominë e brendshme. Për organizimin e kryengritjes në Ballkan u dërguan në brigjet e Adriatikut Miloradoviçi. Oravtjet e saj dështuan. As sundimtarët e provincave rumune nuk e mbajtën fjalën.
Forcat ndërluftuese ishin të pabarabarta. Forcat ruse nuk i kaloni 38000 vetat, kurse forcat osmane arrinin mbi 100000 veta :
Në këto kushte ushtria ruse u rrethua në verën e vitit 1711 në lumin Prut në Jasi. Cari rus u detyrua të kërkojë paqe: Kushtet e paqes ishin të rënda për Rusinë. Ajo duhet të kthente Azovin, të mos përzihej në çështjen e Polonisë dhe privohej nga e drejta për të bërë tregti në Detin e Zi. Rruga tregtare kufizohej vetëm në tokë. Së fundi ajo humbiste të drejtën për të mbajtur përfaqësues në Stamboll. Porta e Lartë ishte e detyruar të largonte Karlin XII nga territori i perandorisë, por Rusia duhet ta lejonte atë të tërhiqej përmes territorit të saj për në Suedi. Si Rusia dhe shteti osman nuk kishin ndërmend të zbatonin këto vendime. Mosmarrëveshjet arritën gati në shpërthimin e luftës, por në verën e vitit 1713 në Adrianopojë u arrit një paqe për 25 vjet. Shtatë vjet më vonë u nënshkrua një paqe e përjetshme midis këtyre shteteve në Kostandinopojë.
Pas sukseseve në luftë me Rusinë, shteti osman nisi luftën kundër Venedikut. Ai kërkonte të kthente Morenë dhe ishujt e Arkipelagut, të shkëputura nga paqja e Karlovacit që ndodheshin në duart e venecianëve. Ai shfrytëzoi edhe gjendjen e krijuar në këto rajone. Popullsia greke e këtyre rajoneve ishte e pakënaqur nga sundimi venecian. Përveç shtypjes dhe grabitjes ajo ishte e pakënaqur edhe për shkak se ai kishte dëmtuar tregtinë dhe kisha katolike nuk merrte parasysh ndjenjat fetare të saj. Në këto kushte popullsia e këtyre rajoneve i priti forcat osmane si çlirimtare. Këto të fundit ia arritën qëllimit. Venediku i kërkoi ndihmë Papës dhe Austrisë. Papa u bëri thirrje vendeve katolike të ndihmonin Venedikun. Si aleate e “Lidhjes së Shenjtë” dhe garantuese e paqes së Karlovaçit, Austria i kërkoi shtetit osman të zbatonte kushtet e asaj marrëveshje. Shteti osman nuk pranoi. Atëherë në luftë hyri edhe Austria. Ushtria austriake u solli forcave osmane disa disfata në Petervarat, Timishuarë e Beograd. Në duart e austriakëve ra një pjesë e Serbisë me Beogradin, Banati dhe rajone të tjera. Vazhdimi i mëtejshëm i luftës do të ishte me pasoja për Perandorinë Osmane. Franca ishte e interesuar që Austria forcat ushtarake t’i përqendronte në Lindje. Prandaj ishte për zgjatjen e luftës. Anglia e Holanda ishin për kthimin në kufijtë e para luftës : Austria kërkonte gjithë Serbinë, Bosnjën, Moldavinë, Vllahinë dhe Besarabinë. Megjithatë Porta e Lartë dhe ndërmjetësit e pushimit të luftës shfrytëzuan vështirësitë e Austrisë për shkak të kontradiktave me Spanjën për Sicilinë dhe e detyruan atë të bënte disa lëshime. Në fillim të qershorit 1718 në afërsi të qytetit të vogël Pozharevac (Pasaroviç) u hap konferenca e paqes. Përveç palëve ndërluftuese morën pjesë përfaqësues të Holandës dhe të Anglisë. Bisedimet përfunduan me nënshkrimin e traktateve politike dhe tregtare midis kësaj të fundit dhe Venedikut. Sipas marrëveshjes politike, Austria siguroi Banatin, një pjesë të Serbisë me Beogradin, Bosnjën Veriore e Vllahinë e Vogël, garantonte lirinë e besimit për katolikët në të gjithë Perandorinë Osmane; kurse sipas marrëveshjes tregtare shtetasit austriakë kishin të drejtë të tregtonin në gjithë territorin e perandorisë, në Danub e në portat e Detit të Zi. Dogana për import dhe eksport ishte 3%. Tregtarët austriakë çliroheshin nga taksa e detyrimet e tjera që jepnin tregtarët e vendeve të tjera. Austria kishte të drejtë të vendoste në portet dhe në qendrat tregtare konsuj dhe agjentë tregtarë. Ata gëzonin kapitulacionet si francezët dhe anglezët. Tregtarët austriakë gëzonin më shumë privilegje se vetë tregtarët turq.
Venediku, sipas marrëveshjes, humbi Morenë dhe një varg ishujsh të Arkipelagut. Ato i kaluan Perandorisë Osmane. Për t’i kompensuar humbjet territoriale, tarifat doganore për tregtarët venecianë u ulën nga 5 në 3 për qind. Paqja nuk vazhdoi gjatë. Pjetri I shfrytëzoi humbjen e osmanëve nga austriakët dhe venecianët për të forcuar ndikimin në rrethet e Kaukazit. Pas një lufte të shkurtër me Iranin, sipas paqes së vitit 1723, Rusia mori qytetet Derbend e Baku me rrethet e tyre. Kjo cenoi interesat e shtetit osman. Forcat osmane hynë në Gruzi, morën Tbilisin dhe vazhduan drejt Lindjes. Një ushtri tjetër me 30000 veta u nis drejt hanit të Erevanit. Pasi theu qëndresën e kundërshtarit ajo pushtoi Erevanin. Cari rus nuk ishte në gjendje të largonte forcat osmane. Prandaj u përpoq ta zgjidhte çështjen me rrugë paqësore. Meqenë se forcat osmane ndeshën një qëndresë të madhe në rrugën e pushtimeve, sulltani pranoi propozimin e carit. Në verën e vitit 1724 në Stamboll u nënshkrua marrëveshja midis Rusisë dhe shtetit osman për ndarjen e zotërimeve iraniane në Kaukaz. Me Rusinë u bashkuan territoret pranë detit Kaspik, kurse Gruzia, Shirvani, Erevani e një pjesë e Azerbaixhanit iranian njohën sundimin osman. Shteti osman në këtë periudhë zhvilloi luftëra të gjata me Iranin. Pas nënshkrimit të marrëveshjes me Rusinë ushtria osmane hyri në Iranin Perëndimor. Ajo ndeshi në një qëndresë të fortë të fshatarësisë dhe të banorëve të qyteteve të atyre territoreve. Megjithatë kjo qëndresë nuk vazhdoi gjatë. Shkaku ishte lufta për fronin e shahut. Në vitin 1725 si rezultat i kësaj lufte u vra uzurpatori i fronit afganas Mahmuti. Vendin e tij e zuri i vëllai thjeshtër i quajtur Ashraf. Në radhë të parë ai duhet të likuidonte çrregullimet në vend, të ndërpriste grabitjet dhe dhunën ndaj popullsisë, të vendoste disiplinën në ushtri. Për këto arsye ishte i detyruar të kishte marrëdhënie të mira me shtetin osman. Në tetor të vitit 1727 u arrit një paqe me kushte të rënda për Iranin :
1) Shahu njihte sulltanin Ahmet III (1703-1730) si halif të gjithë myslimanëve sunitë.
2) Ai vetë e konsideronte veten si vasal të sulltanit.
3) Perandoria Osmane mori mjaft territore të tjera, afro 2/5 e territorit të Iranit, përveç atyre që mori në marrëveshjen me Pjetrin I.
Masat popullore u bënë qëndresë osmanëve. Në krye të tyre doli një njeri nga shtresat e ulëta, Halil Patrona, i cili në vitin 1730 u shkaktoi osmanëve disa humbje, shpërtheu më 28 shtator 1730 gjithashtu me mbështetjen e regjimentit të [estë të Jeniçerëve. Marrëdhëniet me Rusinë nuk u normalizuan. Cari rus kërkonte të çlirohej nga vendimet e marrëveshjeve të Adrianopojës dhe të Kostandinopojës. Në radhë të parë kërkonte të dilte në Detin e Zi. Pretekst ishin sulmet e tatarëve të Krimesë në territorin e Rusisë. Në vitin 1735 një ushtri prej 20000 vetash tatare u dynd në territorin e Rusisë. Si kundërpërgjigje Rusia organizoi dy ekspedita kundër hanit të Krimesë. e para përfundoi pa sukses për Rusinë. Ushtria ruse gjatë fushatës së dytë arriti deri në kryeqytetin e hanit të Krimesë dhe mori Azovin.
Në luftë kundër shtetit osman në vitin 1737 hyri edhe Austria si aleate e Rusisë. Ushtria austriake hyri në Bosnjë, Serbi, Vllahi dhe vuri dorë mbi një varg qytetesh. Në këto kushte forcat ruse arritën suksese të reja në Krime, duke pushtuar disa qendra të rëndësishme tregtare në brigjet e Detit të Zi. Në kushtet e luftës në dy fronte shteti osman u detyrua të kërkojë paqe. Në verën e vitit 1737 palët ndërluftuese u ulën në tavolinën e bisedimeve. Përveç tyre në bisedime morën pjesë si vëzhgues përfaqësues të Anglisë e të Holandës. Gjatë bisedimeve nuk u gjet një gjuhë e përbashkët. Rusia kërkonte t’i jepeshin rajonet midis lumenjve Don e Danub, të ktheheshin Moldavia e Vllahia në principata të pavarura nën mbrojtjen e Rusisë; lundrimin e lirë të anijeve ruse në Detin e Zi. Austria pretendonte për territore të Moldavisë, Vllahisë, Serbisë e Bosnjës. Porta e Lartë nuk pranoi asnjë nga këto kërkesa. Kështu, pas një armëpushimi të shkurtër, lufta rifilloi përsëri. Në vitin 1739 ushtria osmane u hodh në sulm në frontin austriak. Brenda një kohe të shkurtër ajo u mori atyre territoret e Bullgarisë, Vllahisë, Bosnjës e Serbisë me përjashtim të Beogradit. Ushtria ruse, duke vuajtur nga mungesa e ushqimeve dhe epidemitë në fillim pësoi disfatë, por më vonë kaloi në kundërsulm dhe pushtoi qendrën e Moldavisë, Jassin. Austria nuk ishte në gjendje të vazhdonte luftën. Ajo hyri në bisedime me shtetin osman në mënyrë separatiste. Më 1 shtator 1739, në Beograd Austria nënshkroi paqen me shtetin osman. Sipas saj i ktheheshin jo vetëm territoret e pushtuara gjatë luftërave të fundit, por edhe ato të paqes së Pozharevacit (1718), si Banati, Temishvar, pjesa veriore e Bosnjës dhe e Serbisë me Beogradin dhe Vllahinë e Vogël.
Në këto kushte qeveria cariste shpejtoi të kërkojë paqe. Paqja u arrit më 18 shtator të vitit 1739. Rusia mbajti vetëm Azovin dhe fitoi të drejtën të mbajë përfaqësues në Stamboll. Të gjithë tregtinë në Detin e Zi dhe në atë të Azovit do ta bënte me anijet osmane. Sukseset e shtetit osman në luftërat 1735-1739 ishin të rastit dhe nuk patën jetë të gjatë. Arsye të thella gërryenin shtetin osman.

Rritja e ndikimit politik të Fuqive të Mëdha në shtetin osman
Përpjekjet për pozita zotëruese në shtetin osman
Në vitet 30-40 të shek XVIII, krahas varësisë ekonomike filloi dhe rritja e ndikimit politik të shteteve evropiane në shtetin osman. Në këtë periudhë u ashpërsuan edhe më shumë kontradiktat midis shteteve evropiane për Perandorinë Osmane. Nga një vend që e kërcënonte Evropën në shek XVI, shteti osman ishte kthyer në një objekt për diskutim. Midis Anglisë, Francës, Rusisë dhe Austrisë zhvillohej një luftë e ashpër për të zënë pozita zotëruese ekonomike dhe politike në perandori. Rusia synonte të siguronte vende që lagen nga Deti i Zi nga sulmet turko-tatare, të fitonte të drejtën të lundronte në Detin e Zi dhe në ngushticat, të rriste ndikimin në Ballkan dhe në Kaukaz. Anglia e Franca, si shtetet më të fuqishme perëndimore, kishin interesa që ndeshnin me ato të Rusisë. Anglia shqetësohej për pozitën sunduese të Rusisë në rajonin e Baltikut. Franca, si aleate e Austrisë, nuk donte daljen e Rusisë në Detin e Zi e në Mesdhe. Prandaj ajo përkrahte armiqtë e Rusisë, Suedinë, Poloninë e Portën e Lartë, duke u përpjekur të krijonte një aleancë kundërruse. Shteti osman shikonte tek Anglia dhe Franca aleatët e natyrshëm, tek të cilët mund të mbështetej në luftën kundër Rusisë. Ndërsa rritej fuqia e këtyre shteteve, dobësohej ajo e shtetit osman. Për rrjedhojë rritej ndikimi i këtyre shteteve mbi të. Tani çështjet e mosmarrëveshjet midis Portës së Lartë e Rusisë nuk zgjidheshin në Konstandinopol e në Petërburg, por në Londër dhe në Paris. Ndikimi politik u rrit aq shumë sa shteti osman përzihej edhe në luftën për fron të disa shteteve, si rezultat i kombinimeve politike. Në vitin 1740 shpërtheu lufta për fron midis Austrisë e Prusisë. Franca ishte armiqësuar me Austrinë, prandaj përkrahte Prusinë. Edhe shteti osman mori anën e Prusisë me pretendimin se do t’i ktheheshin territoret që i kishte marrë Austria me paqen e Karlovivacit. Pas 8 vjetësh Prusia doli fituese nga lufta, por premtimin ndaj Portës së Lartë e kishte harruar. Të njëjtën gjë u orvat të bënte Anglia në konfliktin prusiano-francez në vitin 1756, por nuk ia arriti qëllimit.

Luftërat me Rusinë dhe Austrinë në fund të shek. XVIII
Rusia ndërhynte në punët e brendshme të shtetit osman, duke nxitur e përkrahur disa nga popujt e nënshtruar. Kështu shteti osman nuk mund të pajtohej me këto veprime. Nga ana tjetër Franca, Austria i trembeshin rritjes së influencës së Rusisë në Ballkan, prandaj nxitnin Portën e Lartë për të ndërhyrë në luftë me Rusinë me qëllim që kjo e fundit të dobësohej. Në shtetin osman kishte dy rryma : e para, me sulltanin në krye, ishte për luftë me Rusinë, e dyta me në krye vezirin e Madh, Koxha Ragip pashën ishte kundër luftës. Fitoi krau i parë. Pretekst i luftës shërbeu lufta civile në Poloni. Atje kishte dy part : i, pro e kundër ruse. Rusia filloi të përkrahë partizanët e vet. Sulltani kërkoi në formë ultimatumi largimin e forcave ruse nga Polonia, mbasi ndërhyrja e Rusisë në punët e brendëshme të Polonisë ishte një shkelje e paqes së Prutit (1771) Cari refuzoi tërheqjen. Kështu filloi një luftë që zgjati disa vjet (1768-1774). Ushtria ruse theu disa herë ushtrinë osmane në Krime, në Moldavi, në Besarabi, Vllahi dhe doli në lumin Danub. Gjithashtu flota ruse e Balltikut korri disa fitore në detin Egje, Adriatik. Atë e ndihmuan edhe grekët në More të cilët ishin hedhur në kryengritje (1770) Këto fitore alarmuan Francën, Anglinë dhe Austrinë. Franca nxiti Suedinë në luftë kundër Rusisë. Franca i dhuroi shtetit osman rreth 15 anije për të riformuar flotën.Austria grumbulloi forca në kufi me Moldavinë e Vllahinë. Në këto rrethana qeveria cariste filloi të bëjë sondazhe për të krijur terrenin e bisedimeve. Rusia kërkonte shkëputjen e Krimesë nga Perandoria Osmane, kalimin e disa territoreve nën Rusinë, lirinë e lundrimit në Detin e Zi, kapitulacionet e shteteve të tjera dhe kompensimin për humbjen në luftërat. Shteti osman hodhi poshtë këto kërkesa. Pas disa luftërash, me forcën e armëve Porta e Lartë u detyrua të ulet në tavolinën e bisedimeve në fshatin Kyçyk-Kajnarxhe (16 qershor 1774) dhe brenda 5 ditëve duhej të nënshkruante paqen. Sipas kushteve të paqes të dy palët njohën pavarësinë e Hanit të Krimesë. Rusia mori disa territore përreth lumenjve Burdo, Dniepër e Dniestër, Azovin, kurse shtetit osman iu kthyen Besarabia, Moldavia e Vllahia. Rusia siguroi lirinë e lundrimit të anijeve tregtare në të gjitha detet që lagin Perandorinë Osmane si dhe kapitulacionet e shteteve të tjera. U shpall amnisti për ata nënshtetas osmanë që kishin luftuar përkrah Rusisë. Porta e Lartë do t’i paguante Rusisë për tre vjet 7,5 milionë grosh për kompensimin e humbjeve. Rusia fitoi të drejtën e protektoratit mbi Moldavinë e Vllahinë dhe mbi kishën ortodokse në Perandori. Paqja e Kyçyk Kajnarxhesë shënoi një moment kthesë në gjendjen ndërkombëtare të shtetit osman. Lufta 1768-1774 tregoi tatëpjetën e thellë që kishte përfshirë perandorinë dhe prapambetjen e dobësinë e ushtrisë osmane. Sulltani nuk desh të ratifikonte kushtet e kësaj paqeje, por pas 6 muajsh u detyrua të bëjë një veprim të tillë. Edhe pas ratifikimit të paqes shteti osman nuk hoqi dorë nga lufta për të kthyer Krimenë, mbasi humbi të ardhura të mëdha. Luftërat vazhduan disa vjet. Ato përfunduan pa asnjë rezultat. Shteti osman pranoi kushtet e paqes së Kyçyk Kajnarxhesë, por nuk hoqi dorë nga marrja e Krimesë, të cilën e lakmonte edhe Rusia. Në prill të vitit 1783 Katerina II shpalli bashkimin e Krimesë me shtetin rus, të gadishullit Taman dhe të territorit deri në lumin Kuban, me pretekstin se Porta e Lartë kishte shkelur paqen e Kyçyk Kajnarxhesë. Anglia ishte e zënë me luftë në Amerikë. Në këto kushte sulltani pranoi bashkimin e Krimesë me Rusinë. Dy muaj më vonë u nënëshkrua marrëveshja e parë tregtare midis Rusisë e shtetit osman. Sipas saj tregtarët rusë kishin të drejtë të lëviznin lirisht nëpër territorin e perandorisë dhe gëzonin të gjitha privilegjet e tregtarëve të shteteve të tjera.
Kalimi i Krimesë nën Rusinë rriti dhe më shumë pakënaqësinë e rretheve drejtuese që ishin kundër kushteve të Kyçyk Kajnarxhesë. Veçanëlrisht kleri i lartë mysliman nuk mund të pajtohej me futjen e myslimanëve të Krimesë nën pushtetin e “të pafeve” (rusëve). Ai bënte thirrje për luftë. Nga ana tjetër, qysh nga viti 1783 Rusia filloi ndërtimin e një baze detare luftarake në Sevastopol, bazë kryesore në Detin e Zi. Me urdhër të Katerinës II në harkun e Sevastopolit u shkrua: Hyrja në Kostandinopol”. Gjendjen luftënxitëse e ndezën edhe më shumë përfaqësuesit e Anglisë, të Prusisë e të Hollandës. Duke shpresuar në ndihmën e tyre dhe me hyrjen në luftë të Suedisë e të Polonisë kundër Rusisë, Porta e Lartë vendosi t’i shpallë luftë Rusisë.Ajo shfrytëzoi vizitën e careshës në Krime dhe takimin e saj me perandorin austriak Jozef II. Ato u konsideruan si demonstrime luftarake.
Në korrik 1787 shteti osman dërgoi një ultimatum me 7 kërkesa : të vendosej në Krime një përfaqësues osman e të kontrolloheshin anijet tregtare ruse me pretekstin se ato transportonin lëndë të ndaluara ; të largoheshin forcat ruse nga Tbilisi dhe Rusia të hiqte dorë nga “mbrojtja e Gruzisë” ; të dorëzohej sundimtari i Moldavisë që ishte strehuar në Rusi ; të vendosej një barazi midis tregtarëve të dy vendeve. Pa pritur përgjigjen një muaj më vonë qeveria osmane i shpalli luftë Rusisë. Plani osman ishte që me zbarkimin e forcave osmane në Kinburn, të ngriheshin tatarët e këtyre rajoneve kundër sundimit rus. Plani dështoi. Forcat ruse të komanduara nga Suvorovi shpartalluan desantin osman.
E shqetësuar nga frika se me këto fitore, Rusia bëhej shteti më i fuqishëm i Detit të Zi, Anglia filloi aktivitetin për organizimin e një blloku antirus. Ajo arriti të bindte Suedinë dhe Poloninë t’i shpallnin luftë Rusisë. Anglia hyri në aleancë me Holandën dhe Prusinë. Kështu u krijua blloku antirus. Rusia në vitin 1788 theu disa herë ushtrinë osmane në tokë e në det. Në shkurt të vitit 1788 Austria i shpalli luftë Portës së Lartë. Veprimet luftarake filluan shumë shpejt. Ushtria osmane theu keq ushtrinë austriake të komanduar prej vetë perandorit. Ai mezi shpëtoi kokën. Ushtria osmane nuk mund të vazhdonte ndjekjen e ushtrisë austriake, mbasi fronti kryesor i luftës ishte në Danub kundër Rusisë. Atje u grumbulluan rreth 100 000 veta kundër ushtrisë së përbashkët ruso-austriake që arrinte në 30 000 veta. Ushtria osmane pësoi disfatë. Në duart e rusëve ranë disa kështjella, si Akerman, Bender. Suksese filloi të korrë edhe ushtria austriake. Ajo mori Semendren, Pozharevacin dhe Beogradin.
Gjendja e keqe e Perandorisë Osmane ndryshoi pas revolucionit borgjez francez të vitit 1789. Austria e detyruar nga Prusia, Anglia dhe Holanda bëri një paqe të veçantë me shtetin osma, duke ruajtur kufijtë e para luftës. Për rrjedhojë Austria i ktheu atij Beogradin dhe territoret e tjera të pushtuara. Pas daljes së Austrisë nga lufta, pozita e Perandorisë Osmane u përmirësua, kurse ajo e Rusisë u keqësua përkohësisht. Në vitin 1791 Rusia korri disa fitore të reja në Moldavi, Vllahi e në Kaukaz. Ushtrisë ruse iu hap rruga në Rumeli dhe në Anadoll. Në këto kushte Porta e Lartë u detyrua të kërkojë paqe.Nga frika se mos rriteshin kërkesat e Rusisë nga fitoret e tjera, Anglia dhe Prusia bënë çmos që të përfundonte lufta ruso -osmane. Gjithashtu Anglia kërkonte të hidhte Rusinë kundër Francës. rusia shihte Francën revolucionare si armikun më të rrezikshëm. Në këto rrethana në janar të vitit 1792 u nënshkrua paqja midis dy shteteve. Kufiri midis dy shteteve u caktua lumi Dniester. Rusia përfitoi disa territore dhe shtetit osman iu kthyen Besarabia dhe Moldavia, me konditë që popullsive të këtyre krahinave t’u njiheshin privilegjet e fituara në paqen e Kyçyk Kajnarxhesë. Porta e Lartë hoqi dorë nga pretendimet mbi Gruzinë.
Çështja e lindjes
Përmbajtja e krizës lindore
Revolucioni francez i vitit 1789 shënoi fitoren e rendit të ri borgjez mbi feudalizmin, prandaj pati rëndësi ndërkombëtare. Idetë e revolucionit francez depërtuan edhe në Perandorinë Osmane. Ato ndikuan në rritjen e lëvizjeve nacionalçlirimtare të popujve të shtypur dhe për rrjedhim edhe në gjendjen e brendshme të vetë shtetit osman. Një ngjarje tjetër me rëndësi ndërkombëtare që ndikoi në gjendjen e Perandorisë Osmane ishte kthesa industriale që kish filluar në vitet 60-80 të shek. XVIII dhe për disa dhjetëvjeçar kish përfshirë Francën, Gjermaninë dhe vende të tjera të Evropës. Nga stadi i manifakturës u kalua në epokën e kapitalizmit industrial. Në këtë periudhë kemi një zhvillim të shpejtë të forcave prodhuese, veçanërisht në industri. revolucioni teknik ndodhi edhe në transport. Rrugët hekurudhore dhe flotat e pajisura me anije me avull bënin që lidhjet midis vendeve të veçanta të bëheshin më të shpejta, gjë që ndikonte në formimin e tregut botëror.
Zhvillimi i shpejtë i industrisë dhe i transportit u shoqërua me forcimin e borgjezisë industriale dhe me rritjen e rolit të saj në qarqet drejtuese të shtetit, madje edhe në vendet ku ruhej monarkia Rritja e prodhimit industrial kërkonte gjithnjë e më shumë lëndë të parë dhe tregje për shitjen e prodhimeve industriale. Borgjezia mund të plotësonte kërkesat e saj me anë të pushtimeve të vendeve të Azisë, të Afrikës e të Amerikës Latine dhe kthimin e tyre në koloni e gjysmëkoloni. Lufta për pushtimin e kolonive në këtë periudhë u forcua edhe më shumë. Në dallim nga periudhat e mëparshme rol të dorës së parë luante kapitali industrial. Konflikte më të ashpra dhe më të gjata u zhvilluan midis dy shteteve më të mëdha të kësaj periudhe Anglisë dhe Francës. Në këto konflikte ato tërhoqën edhe shtetet e tjera. Pas revolucionit francez dhe kthesës industriale, Perandoria Osmane u kthye në arenë të ndeshjeve më të ashpra të shteteve evropiane. Nëpër territorin e saj kalonin rrugë komunikimi me rëndësi tregtare e luftarako-strategjike. Ajo përfshinte një territor të madh dhe një fuqi të madhe njerëzore. Kontradiktat midis shtetit osman, Rusisë, Anglisë, Francës e Austrisë në zonën e Mesdheut qysh në vitet 70 të shek XVIII kanë hyrë në histori me emrin Çështja e Lindjes ose Kriza Lindore. Përmbajtja kryesore e çështjes së Lindjes ishte kjo :
1) Kriza e brendshme e Perandorisë Osmane.
2) Lufta nacionalçlirimtare e popujve të shtypur për formimin e shteteve të veçanta kombëtare.
3) Kontradiktat midis fuqive të mëdha për zotërimin ekonomik e politik mbi Perandorinë Osmane dhe ndarjen e territoreve të saj.
Kriza e përgjithshme e perandorisë dhe lufta nacionalçlirimtare e popujve të shtypur nxorën në pah rënien e sundimit osman mbi popujt e tjerë dhe vetë perandorinë. Shumica e popujve qysh në fund të shek. XVIII kishte hyrë në rrugën e luftës për çlirim kombëtar kundër zgjedhës osmane. Që nga kjo periudhë fati i Perandorisë Osmane ishte lidhur edhe me ndërhyrjet me qëllime ekspansioniste të shteteve kapitaliste të Evropës Perëndimore e të Rusisë Cariste.Anglia e Franca e pas tyre edhe Austro-Hungaria, duke synuar të vendosnin sundimin ekonomik e politik në tërë perandorinë, për një kohë të gjatë ndoqën politikën e ruajtjes së tërësisë së saj territoriale dhe të gjendjes ekzistuese (statukuos). Kjo politikë kishte karakter reaksionar, sepse ishte në kundërshtim me synimet e drejta të popujve të shtypur për t’i çliruar nga zgjedha osmane. Për këto arsye Perandoria Osmane ishte pjesëtare e çdo lufte që kishte të bënte me Çështjen e Lindjes. Ashtu siç do ta shohim më poshtë, ajo gjithmonë, madje edhe kur ishte në anën e fitueve, do të trajtohej si e mundur. Çështja e lindjes vazhdoi të mbetet si një nga problemet ndërkombëtare më të mprehta deri në revolucionin antiimperialist të viteve 1918-1923 që u zhvillua në Turqi. Në vitet e fundit të shek. XVIII dhe gjatë dy dhjetëvjeçarëve të para të shek. XIX shteti osman u ndodh në disa konflikte dhe luftëra. Një prej tyre ishte ai franko-osman.

Konflikti franko-osman (1798-1802)
Pas kthesës kundërrevolucionare që ndodhi në Francë në vitin 1794 shteti francez filloi përgatitjet për një sulm në Lindjen e Afërme për të rivendosur pozitat që kishte para revolucionit. Një vend të rëndësishëm zinte Egjipti. Qarqet drejtuese franceze e shikonin Egjiptin si plasdarm për fushatën kundër Indisë, për të dëbuar prej andej anglezët. Në maj të vitit 1798 ushtria franceze prej afro 39 000 veta la Tulonin dhe u nis drejt Aleksandrisë nën drejtimin e Napoleon Bonapartit. Pas një rrethimi të shkurtër, Aleksandria ra në duart e francezëve. Ata iu drejtuan Kajros. Në korrik të atij viti në afërsi të piramidave u bë ndeshja midis mamlikëve dhe ushtrisë franceze. Francezët hynë në Kajro. Arabët filluan t’i bëjnë qëndresë. Në tetor 1798 në Kajro shpërtheu një kryengritje e madhe kundër francezëve. Bonaparti me masa terrori mundi të mbajë të nënshtruar popullsinë e rajoneve të pushtuara. Porta e Lartë agresionin francez e konsideroi si një akt armiqësor, por nuk i shpalli Francës menjëherë luftë. Në fillim arrestoi e burgosi të gjithë francezët që ndodheshin në perandori dhe u konfiskoi pasurinë. Porta e Lartë para se të hynte në luftë me Francën kërkoi ndihmën e Rusisë. Kjo e fundit iu përgjegj në mënyrë pozitive. Në shator të atij viti një skuadrilje ruse nën komandën e Ushakovit doli përpara Kostandinopojës. U formua një flotë e përbashkët ruso-osmane me qëllim për t’u marrë francezëve ishujt jonianë. Brenda muajve tetor-nëntor francezët çliruan të gjithë ishujt me përjashtim të Korfuzit, i cili u çlirua pas dy muajsh.
Ndërkohë në Stamboll u arritën dy marrëveshje me Rusinë dhe Anglinë. Në këto marrëveshje garantohej tërësia territoriale e njëri-tjetrit, njësimi i qëndrimeve ndaj Francës, sigurimi i ndihmës me forca ushtarake, me ushqime dhe të holla në rast të një sulmi francez. Të dy shtetet nuk mund të nënshkruanin paqe të veçuar ose armëpushim me kundërshtarin. Aleanca me Rusinë përmbante një shtesë sekrete ku shënoheshin hollësira të tjera se në rast lufte me Francën Porta e Lartë ishte e detyruar të hapte ngushticat për anijet luftarake ruse dhe t’i mbante të mbyllura për shtetet e tjera, se Rusia do ta ndihmonte atë me 75-80000 ushtarë.
Në janar të vitit 1799 Porta e Lartë arriti një marrëveshje bashkëpunimi me mbretërinë e dy Siqelive. Kështu shteti osman hyri në koalicion kundër francez,ku mori pjesë edhe Austria.
Bonaparti nisi një fushatë kundër Sirirsë. Fushata përfundoi me disfatë të plotë. Kjo disfatë shpejtoi operacionin anglo-osman në Egjipt. Në qershor të vitit 1799 ushtria osmane zbarkoi në Abukir. Ndonëse kishte epërsi numerike, ushtria osmane pësoi disfatë. Me gjithë fitoren korpusi francez nuk kishte asnjë shpresë. Në këto kushte Bonaparti u largua nga Egjipti, duke ia besuar komandën e korpusit francez një gjenerali. Pas disfatës së Abukirit një ushtri osmane u nis drejt Egjiptit përmes Sirisë. Në afërsi të Kajros ajo u ndesh me francezët, po pësoi disfatë. Atë ditë në Kajro shpërtheu kryengritja e dytë e madhe kundër francezëve. Ajo vazhdoi 37 ditë, por më në fund u shtyp.
Në qershor të vitit 1801 një ushtri anglo-osmane rrethoi Kajron. Të lodhur nga luftërat e vazhdueshme, nga mungesa e ushqimeve dhe nga sëmundja e kolerës, korpusi francez kapitulloi. Vetëm afro 1/3 e tij u ktye shëndoshë në Francë. Dëbimi i francezëve prej Egjiptit u konsiderua pushtim II i Egjiptit dhe Selimi I mori titullin fitimtar (gazi).
Duke shfrytëzuar mosmarrëveshjet midis Anglisë e Rusisë Franca mundi në qershor të vitit 1802 të nënshkruaj një paqe me Portën e Lartë. Sipas kushteve të paqes të dy palët mbështetën politikën e miqësisë e të paqes, rinjohën të gjitha marrëveshjet që ishin arritur para luftës. Anijet franceze fituan të drejtën të lundronin në Detin e Zi dhe anijet turke në portet franceze me flamurin e vet.
Tregtarëve francezë u njiheshin privilegjet e shteteve të tjera. Perandorisë Osmane iu kthye Egjipti. Ishujt jonianë u shpallën republikë e pavarur, pavarësia e së cilës garantohej prej Rusisë e Francës. Të dy shtetet garantonin tërërsinë territoriale të njëri-tjetrit.

Lufta ruso-osmane (1806-1812)
Marrëdhëniet midis Francës dhe Anglisë mbetën të tendosura. Kundër Francës ishte Austria e Prusia. Marrëdhëniet midis Francës e Prusisë sa vinin e ftoheshin. Në këto rrethana Rusia ishte e interesuar të kishte marrëdhënie të mira me shtetin osman. Në tetor të vitit 1805 u ratifikua marrëveshja nga sulltan Selimi e car Aleksandri I. Sipas kushteve të marrëveshjes të dy shtetet do të ndihmonin njëri-tjetrin me ushtri në rast të një sulmi nga një shtet tjetër e do të ruanin tërësinë territoriale të tyre. Marrëveshja do të vazhdonte nëntë vjet. Sipas disa neneve sekrete, në rast se Rusia hynte në koalicionin antifrancez, Porta e Lartë duhej të vepronte së bashku me të ose të ndihmonte të siguronte kalimin e anijeve luftarake ruse nëpër ngushticat. Deti i Zi do të mbyllej për të gjitha anijet ushtarake të shteteve të tjera.
Diplomatët francezë u përpoqën të prishnin marrëveshjen ruso-osmane. Në politikën osmane ndodhën ndryshime të rëndësishme pas fitores së Napoleonit në Austerlic. Porta njohu Bonapartin si perandor. Napoleoni nuk u kënaq me kaq. Ai kërkoi prishjen e aleancës ruso-osmane. Nën ndikimin e drejtpërdrejtë të diplomatëve francezë pala osmane filloi të shkelë marrëveshjen. Në vjeshtën e 1806-ës u mbyllën ngushticat për anijet luftarake ruse dhe ndërruan qeveritarët e Moldavisë e të Vllahisë. Si kundërpërgjigje cari urdhëroi ndërhyrjen e forcave ushtarake në principatat e Danubit dhe në Kaukaz.
Në konfliktin ruso-osman Anglia mbajti anën e Rusisë, mbasi shpresonte të kishte me vete Rusinë në luftën kundër Francës. Ajo i drejtoi një ultimatum Portës me të cilin kërkohej një aleancë ushtarake, dëbimin e përfaqësuesit francez në Stamboll, dorëzimin e disa kështjellave në Dardanele, kalimin e Moldavisë e Vllahisë Rusisë. Ultimatumi u hodh poshtë nga Porta e Lartë. Në etapën e parë të luftës forcat ruse nuk korrën ndonjë sukses të madh, si në frontin e Danubit, ashtu edhe në atë të Kaukazit.
Flota angleze u orvat me anë të forcës të detyronte shtetin osman të shkëpuste lidhjet me Francën. Gjatë kalimit në Dardanele ajo pati humbje të mëdha. Prej andej iu drejtua brigjeve egjiptiane dhe pushtoi Aleksandrinë. Por nuk e mbajti gjatë, mbasi Mehmet Aliu u shkaktoi anglezëve humbje të mëdha. Në shtator të vitit 1807 anglezët kapitulluan. Kjo ngjarje shënon largimin faktik të Anglisë nga lufta me shtetin osman. Skuadrilja ruse blokoi ngushticat. Kryeqyteti osman furnizohej vetëm nëpërmjet detit Mesdhe. Flota osmane u orvat dy herë me radhë të thyejë bllokadën, por pësoi humbje prej skuadriljes ruse. Në qershor të vitit 1807 në Tilzit u takua Bonaparti dhe Aleksandri I. Bisedimet e tyre përfunduan me nënshkrimin e një marrëveshje franko-ruse mbi paqen dhe miqësinë. Sipas kësaj marrëveshjeje Franca merrte Kotorin dhe ishujt jonianë. Në nenet sekrete prekej edhe shteti osman. Sipas tyre duhej të ndërpriteshin veprimet luftarake midis Rusisë e Portës së Lartë, forcat ruse të largoheshin prej Moldavisë e Vllahisë, Franca të ndërmjetësonte për përfundimin e një paqeje midis Rusisë e Portës së Lartë. Në rast se Porta e Lartë nuk do të pranonte ndërmjetësinë e Francës, atëherë kjo e fundit do të kalonte në anën e Rusisë kundër shtetit osman. Ndonëse në tekstin e marrëveshjes nuk bëhej fjalë për copëtimin e Perandorisë Osmane, sipas fjalëve të dy perandorëve ata ishin dakord që Egjipti t’i kalonte Francës. Me fjalë të tjera nisën projektet për copëtimin e Perandorisë Osmane.
E diktuar nga këto kushte, Porta e Lartë u detyrua të kërkojë armëpushim dhe të hyjë në bisedime për nënshkrimin e një paqeje. Bisedimet zgjatën shumë meqë nuk u gjet një gjuhë e përbashkët. Me ndërmjetësinë e Francës bisedimet vazhduan në Paris. Copëtimi i Perandorisë Osmane u bë objekt diskutimi edhe në konventën ruso-franceze të nënshkruar në Erfurt nga Napoleoni I dhe Aleksandri I, më 12 tetor 1808. Në konventë ishin vendosur që Moldavia dhe Vllahia të bashkoheshin me Rusinë. Kufi midis Rusisë e Perandorisë Osmane ishte caktuar lumi Danub. Franca e Rusia duhej të ruanin tërësinë territoriale të Perandorisë Osmane. Në rast se Porta e Lartë nuk do të pranonte këto kushte, atëherë Rusia të vazhdonte veprimet luftarake në Danub. Franca në këto kushte duhej të mbante neutralitetin. Ajo mund të mbante anën e Rusisë në rast se Austria do të bashkohej me shtetin osman. Franca hoqi dorë nga ndërmjetësia midis Rusisë e Portës së Lartë. Vendimet e konventës do të mbaheshin sekret për 10 vjet.
Në këto kushte shteti osman ishte i detyrauar të hynte në bisedime me Rusinë. Car Aleksandri vuri këto kushte; kufiri midis Rusisë e Perandorisë Osmane të ishte Danubi. Serbia të fitonte pavarësinë dhe të ndodhej nën protektoratin e Rusisë e të Portës së Lartë. Kjo e fundit të njihte protektoratin e Rusisë mbi Gruzinë e disa vende të tjera. Këto kushte ishin të rënda, prandaj bisedimet nuk filluan menjëherë.
Ndërkohë përfunduan bisedimet me Anglinë. Në janar të vitit 1809 u nënshkrua paqja. Sipas kushteve të paqes Anglia do të kthente territoret e pushtuara; do të mbylleshin ngushticat për anijet luftarake, të të gjitha shteteve, duke përfshirë edhe Anglinë ; do të rivendoseshin kapitulacionet dhe privilegjet që u ishin njohur aglezëve deri në prag të luftës. Në mars të vitit 1809 delegacioni osman u paraqit në Jassi. Cari në mënyre arrogante la në dispozicion të delegacionit vetëm dy ditë kohë. Porta e Lartë nuk pranoi ultimatumin. Kështu, në prill të këtij viti nisi etapa II e luftës që vazhdoi deri në fund të vitit 1811. Fushatat ruse kundër perandorisë Osmane gjatë viteve 1809 e 1810 përfunduan pa ndonjë sukses të konsiderueshëm. Ato ishin përqendruar në pushtimin e disa kështjellave. Në verën e vitit 1811 ushtria osmane e komanduar prej vezirit të madh Ahmet pashës pësoi humbje të madhe nga ushtria ruse e komanduar prej Kutuzovit. Në dhejtor të vitit 1811 ajo kapitulloi. Faktikisht veprimet luftarake në frontin e Danubit përfunduan.
Pas disfatës, Porta e Lartë filloi traktativat për nënshkrimin e paqes. Ajo synonte të arrinte një paqe me humbje sa më të vogla, duke shpresuar në luftën franko ruse. Franca ishte kundër paqes mbasi i interesonte që Rusia të mbante forca ushtarake në frontet e Danubit e të Kaukazit. Prandaj përpiqej të bindte sulltan Mahmutin II të mos nënshkruante paqen. Edhe Austria ishte kundër kalimit të principatave të Danubit me Rusinë, prandaj ajo kërkonte që shteti osman të mos i bënte lëshime. Në mars të vitit 1812 Franca e Austria arritën një marrëveshje bashkëpunimi. Midis të tjerash, në marrëveshje garantohej tërësia territoriale e zotërimeve evropiane të shtetit osman. Ato ishin gati ta ndihmonin shtetin osman, prandaj i rekomanduan atij të mos i bënte asnjë lëshim Rusisë. Anglia mbante qëndrim të dyanshëm. Nga njëra anë. Ishte e interesuar të pushonte lufta midis Rusisë e shtetit osman, mbasi forcat e frontit danubian do të hidheshin kundër Francës, e nga ana tjetër, nuk ishte për bashkimin e Moldavisë e të Vllahisë me Rusinë. Porta e Lartë i trembej ndonjë prapaskene si të Tilzitit, prandaj hyri në bisedime me Rusinë. Në maj të vitit 1812 u nënëshkrua paqja në Bukuresht. Kushtet e paqes ishin këto : kufiri midis Rusisë e Perandorisë Osmane u vendos në lumin Prut. Besarabia, Moldavia e Vllahia iu kthyen shtetit osman. Porta t’u siguronte atyre privilegjet e marrëveshjeve të Kyçyk Kajnarxhesë e të Jassit. Në Azi kufiri do të mbetej po ai i paraluftës. Rusia i ktheu shtetit osman tokat e pushtuara gjatë luftës, por mbajti disa rajone përtej Kaukazit me pretekstin se ato vullnetarisht ishin bashkuar me Rusinë. Serbia fitoi privilegjet e ishujve jonianë. Me fjalë të tjera Porta t’i siguronte një autonomi të brendshme. Të nesërmen e ratifikimit të kësaj paqeje nga cari, Bonaparti sulmoi Rusinë. Forcat e Danubit u çliruan nga lufta me shtetin osman, i cili shpëtoi nga humbje të konsiderueshme.
Franca e Austria ishin për prishjen e paqes së Bukureshtit nga frika e bashkimit të dy shteteve në luftë. Nën ndikimin e fitoreve të ushtrisë ruse mbi ushtrinë franceze, qeveria osmane nuk cenoi kushtet e paqes së Bukureshtit.

Ndërhyrja e Fuqive të Mëdha në vitet 20 të shek. XIX
Çështja greke
Fuqitë e Mëdha vazhdonin të ndërhynin në punët e brendshme të shtetit osman për shumë probleme. Një nga këto ishte çështja greke. Anglia nuk dëshironte luftën e Rusisë kundër shtetit osman. Qeveria angleze dhe ruse nënshkruan një protokoll të ashtuquajtur protokolli i Petërburgut (4 janar 1826). Në protokoll ishte vendosur t’i propozohej sulltanit që të formonte një shtet grek nën sovranitetin e sulltanit, duke i paguar pushtetit qendror një tribut të përvitshëm. Porta e Lartë të largonte forcat ushtarake nga Greqia. Këto kushte iu bënë të njohura sulltanit. Ai pranoi të hyjë në bisdeime me Rusinë për të kaluar koha deri sa të bënte riorganizimin e ushtrisë dhe të flotës. Në kryeqytetin e vogël Akerman, rajoni Ismaila në qershor 1826 u hap konferenca ku morën pjesë Rusia dhe Porta e Lartë. Bisedimet vazhduan gjatë. Më në fund u përgatit një konventë. Sipas saj u rinjohën të gjitha privilegjet e principatës së Serbisë të arritura më parë. Porta duhet t’i zgjidhte sundimtarët prej popullsisë vendase : Tregtarët rusë të gëzonin lirinë e lëvizjes në të gjithë perandorinë.
Konventa e Akermanit s’kish nene për çështjen greke, por kjo nuk tregonte se Rusia kishte hequr dorë nga ky problem. Ajo nuk mund të linte në harresë protokollin e Petërburgut. Me vendimet e këtij protokolli u bashkuan edhe Franca, Austria dhe Prusia. Në qershor të vitit 1827 në Londër Rusia, Anglia e Franca nënshkruan traktatin mbi zgjidhjen e çështjes greke me anë të bisedimeve. Para bisedimeve të arrihej një armëpushim. Bisedimet të zhvilloheshin mbi platformën e një autonomie të Greqisë nën sovranitetin e sulltanit duke i paguar atij një tribut vjetor. Kufijtë e Greqisë do të përcaktoheshin nga fuqitë e mëdha dhe nga të dy palët. Sipas një neni sekret, në rast se Porta e Lartë nuk përgjigjej brenda një muaji, skuadriljet detare të tri shteteve të merrnin nën mbrojtje Greqinë.
Në gusht 1827 përfaqësuesit e Francës, Anglisë e Rusisë i drejtuan Portës së Lartë një notë kolektive. Për përgjigjen brenda afatit të caktuar flotat e tri shteteve bllokuan brigjet e Greqisë. Komandantët e skuadriljeve i dërguan një ultimatum Ibrahim Pashës që komandonte forcat detare për shtypjen e revolucionit grek. Në ultimatum kërkohej ndërprerja e veprimtarive luftarake. Ibrahim pasha nuk pranoi. Flotat e tri shteteve u ndeshën me flotën egjiptiane në Navarinë (tetor 1827). Flota egjiptiane u shkatërrua. Mbi 50 anije u dogjën. Mijëra vetë vdiqën. Gjendja e Ibrahim pashës u keqësua shumë mbasi u bllokua nga deti nëpërmjet të cilit furnizohej me ushqime. Pas betejës së Navarinës, Porta e Lartë iu përgjigj notës kolektive. Ajo dënoi betejën e Navarinës, meqenëse ato shtete nuk i kishin shpallur luftë. Gjithashtu kërkoi pushimin e luftës së grekëve dhe kompensimin e humbjeve në Navarinë. Kërkesat e Portës së Lartë u hodhën poshtë. Në shenjë pakënaqësie të dërguarit e Francës, të Anglisë e Rusisë u larguan nga kryeqyteti. Pritej një luftë e re.
Lufta ruso -osmane 1828-1829
Porta e Lartë përdori një manovër të re, për të izoluar Rusinë. Në janar 1828, nëpërmjet patriarkut të Stambollit, ajo u premtoi grekëve amnisti për pjesëmarrësit në kryengritje, kthimin e pasurive të konfiskuara, përjashtimin nga taksat për periudhën e kryengritjes, në rast se ata ndërpritnin luftën dhe i bindeshin sulltanit. Manovra politike dështoi. Grekët nuk pranuan këto propozime. Në prill 1828 Rusia i shpalli luftë shtetit osman. Ky i fundit u gjend i papërgatitur për luftë. Luftërat e gjata me Rusinë dhe Iranin kishin gëlltitur mjete të mëdha financiare. Gjenbdja ushtarake ishte e keqe. Sapo ishte shkatërruar korpusi i jeniçerëve. Ushtria e re nuk kishte përgatitjen e duhur. Në të mungonin oficerët. Edhe më e keqe ishte gjendja e flotës. Ajo ishte shkatërruar në Navarinë. Në ditët e para të muajit 1828 ushtria ruse kapërceu lumin Prut dhe hyri në Moldavi. Brenda një kohe të shkurtër ajo mori Jasin Gallacin, Bukureshtin dhe Braillën. Porta e Lartë i shpalli luftë Rusisë. Ushtria e re la kryeqytetin dhe u drejtua për në Veri. Përparimi i ushtrisë ruse u ngadalësua.
Me fillimin e luftës ruso-osmane u aktivizua veprimtaria e revolucionarëve grekë. Kjo e vështirësoi edhe më shumë gjendjen e shtetit osman. Në qershor të vitit 1828 përfaqësuesit e Anglisë, Francës dhe Rusisë në Londër arritën një marrëveshje për largimin e forcave osmane-egjiptiane prej Moresë. Pas dy muajsh forcat egjiptiane pranuan të largoheshin nga Moreja të detyruara nga korpusi francez i përbërë prej 16 000 ushtarësh. Krahas veprimeve ushtarake vazhdonin bisedimet midis përfaqësuesve të Anglisë, Francës e Rusisë mbi çështjen greke. Në mars të vitit 1829 në Londër u arrit një marrëveshje për Greqinë e ardhshme. Shteti i ri grek do të përfshinte territorin nga gjiu i Vollosit në Lindje, përmes Agrafës e Artës deri në gjirin e Ambrakisë në Perëndim. Në të do të hynin edhe ishujt Eubea e Qikladet. Shteti grek do të ndodhej nën pushtetin e Portës dhe do të paguante çdo vit një tribut prej 1 500 000 grosh. Në organizimin e brendshëm shteti grek do të gëzonte autonominë e plotë. Sundimtari do të zgjidhej prej tre shteteve të mëdha e Portës. Për pjesëmarrësit në luftë të shpallej një amnisti e përgjithshme. Përfaqësuesit e tri shteteve filluan bisedimet me përfaqësuesit e Portës. Nga ana tjetër Rusia për ta detyruar Portën e Lartë të përfundonte paqen, nisi në mesin e majit 1829 fushatën e dytë. Rreth 70 000 veta u hodhën mbi ushtrinë osmane, e cila ishte shumë më e madhe në numër. Ushtria e rregullt nuk i kalonte 50 000 vetët. Rusia kishte supremaci në flotën e Detit të Zi. Kjo ndikoi mjaft në zhvillimin e luftës në favor të Rusisë.
Ushtria ruse theu ushtrinë osmane në fshatin Kuleviç, në juglindje Shumlës. U hap rruga drejt Adrianopolit. Në gusht 1829 ushtria që mbronte këtë qytet kapitulloi . Qyteti ra në duart e rusëve. Ushtria ruse marshoi drejt kryeqytetit. Ushtria osmane kishte pësuar humbje edhe në frontin e Azisë së Vogël. Në duartë e rusëve ra Erzurumi. Përmes Anadollit Qendror ata synonin kryeqytetin.
Rënia e Adrianopojës në Ballkan dhe i Erzurumit në Azinë e Vogël, afrimi i forcave ruse në kryeqytetein osman, blokimi i Bosforit dhe i Dardaneleve veështirësuan pozitat e sulltan Mahmutit II. Këtë gjëndje e shfrytëzuan edhe shtresat konservatore e antireformiste. Pakënaqësia po kthehej në kryengritje të armatosur. Perspektiva pa shpresë e luftës dhe rreziku i shpërthimit të një kryngritjeje në kryeqytet e detyruan Portën e Lartë të kërkojë paqe. Për paqe ishte edhe Rusai : Gjendja e ushtarëve në Ballkan ishte e vështirë. Rusia kërkonte njohjen e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme ruso- osmane duke përfshirë konventën e Akermanit si dhe protokollin e Londrës së 22 marsit 1829. Bisedimte filluan në Adrianopojë më 2 shator 1829 dhe vazhduan dy javë. Paqja përmbante këto çështje : Porta e Lartë t’i paguante Rusisë një kontribut për dëmet e luftës. Rusia të largonte ushtrinë nga territori osman. Kufiri midis tyre të mbetej lumi Prut. Grykëderdhja e Danubit me ishujt i kalonte Rusisë. Bregu i djathtë i Danubit i takonte shtetit osman. Rusisë i kaloi bregu lindor i Detit të Zi, Gruzia e rajonet përtej Kaukazit. Porta duhej t’i njihte Vllahisë Moldavisë, lirinë e besimit, t’u sigurohej jeta njerëzve e një drejtim i pavarur; sulltani të mos përzihej në punët e brendshme të tyre. Sundimtarët të emëroheshin nga popullsia vendase. Për Serbinë ishte vendosur që Porta t’i plotësonte vendimet e konventës së Akermanit. Tregtarët rusë të gëzonin liri të plotë tregtare në të gjithë Perandorinë Osmane. Përmes ngushticave të kalonin anijet e tyre me flamurin rus ose me atë të shteteve të tjera me të cilat shteti osman kishte marrëdhënie paqësore. Të gjithë rusët që ndodheshin në shtetin osman të gjykoheshin nga konsujt rusë. Porta e Lartë për 18 muaj duhej t’i paguante Rusisë 1500000 dukatë holandezë për humbjet e tregtarëve rusë gjatë luftërave 1807-1829 si dhe 10000000 si dëmshpërblim për luftën.
Për Greqinë u pranuan vendimet e marrëveshjeve të Londrës të 6 qershorit 1827 e 22 marsit 1829. Paqja e Adrianopojës u ratifikua nga 2 sundimtarët. Cari ishte shumë i kënaqur nga këto kushte, kurse sulltani nuk ishte nga t’ia mbante. Ai shpresonte se do të ndryshonte gjendja me ndihmën e Anglisë e të Francës, por u gabua. Paqja e Adrianopojësi siguroi autonominë Greqisë. Sipas marrëveshjes Porta e Lartë ishte e detyruar të pranonte rekomandimet e tri shteteve për drejtimin autonom. Por përfaqësuesit e këtyre shteteve në shkurt 1830 vendosën t’i jepnin pavarësinë Greqisë dhe këtë vendim ia imponuan sulltanit.
Paqja e Adrianopojës pati rëndësi edhe për Serbinë Në zbatim të kushteve të kësaj paqeje, në gusht 1830 sulltani shpalli autonominë e Serbisë. Pas paqes së Adrianopojës qeveria cariste filloi politikën e afrimit me Portën e Lartë. Ajo filloi t’i zbresë pak nga pak kontributin. Tani nuk kishte më interes të shkatërronte shtetin osman. Humbjet e shtetit osman në vitet ‘20 Fuqitë e Mëdha u përpoqën t’i shfrytëzonin për interesat e veta. Franca i vuri syrin Algjerisë ku qarqet drejtuese franceze shihnin një plasdarm për pushtimin e Afrikës dhe për forcimin e pozitave të saj në Detin Mesdhe. Algjeria kishte rëndësi ekonomike. Ajo mund të shërbente si treg për shitjen e prodhimeve industriale. dhe për blerjen e lëndës së parë. Tokat Algjeriane mund të kënaqnin fshatarët francezë që kishin mbetur pa tokë. Me pretekstin se piratët algjerianë kishin kapur disa anije tregtare franceze, ushtria franceze në qershor të vitit 1830 zbarkoi në brigjet algjeriane, theu forcat algjeriane dhe pushtoi Algjerinë. Pastaj ranë edhe qytetet e tjera.
Shteti osman nuk ishte në gjendje t’i bënte ballë agresionit francez. Porta e Lartë urdhëroi Mehmet Aliun të hynte në luftë kundër francezëve, por nuk pati rezultat. Gjithashtu nuk pati asnjë mbështetje te shtetet e tjera.
Në luftën kundër pushtuesve francezë hynë vetëm algjerianët nën komandën e emir Abd-al-Kaderi. Lufta vazhdoi 15 vjet dheFrancës i solli humbje të mëdha. Në një luftë të pabarabartë, Franca forcoi pozitat e saj në Algjeri, të cilën e ktheu në koloni të Francës. Gjatë 30 vjetëve të pare të shek. XIX shteti osman humbi territore të konsiderueshme. Prej tij u shkëputën Besarabia, brigjet kaukaziane të Detit të Z, një pjesë e madhe e Greqisë, Moldavia dhe Vllahia kishin forcuar autonominë, kurse Serbia kishte fituar statusin e vet.. Egjipti, ndonëse ishte pjesë përbërëse e perandorisë, faktikisht ndodhej nën qeverisjen e Mehmet Aliut.
Njimi
Njimi
Admin

Numri i postimeve : 88
Join date : 09/02/2011

https://info.macedonianforum.net

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi